TIRANË — Nëpërmjet një deklarate për shtyp, shoqata e Neurologëve të Shqipërisë i bën apel Ministrisë së Shëndetësisë, duke paralajmëruar se “magjia” e shpërthimit të depozitës te Brryli po zbehet me shpejtësi.
Sipas ekspertëve të shëndetit mendor, efekti terapeutik i një godine që fluturon në ajër zgjat mesatarisht 7 deri në 10 ditë. Kombi rrezikon të bjerë në një depresion të thellë vjeshtor nëse nuk organizohet një tjetër shpërthim i përmasave të ngjashme brenda muajit.
“Shpërthimi shërbeu si një defibrilator kolektiv për kombin,” shpjegon Dr. Ariana Koka, shefe pavioni në Spitalin numër 5 në QSUT. “Për atë fraksion sekondi, qytetari harron inflacionin, harron çmimin e naftës apo mbarimin e verës. Prandaj është jetësore që shpërthimet e karburanteve të vazhdojnë të paktën një herë në muaj për të mbajtur lart moralin e kombit.”
Ekspertët propozojnë një ndërhyrje shtetërore, duke sugjeruar që në buxhetin e vitit të ardhshëm të përfshihet një zë i veçantë për “Piroteknikë Rehabilituese”. Ata argumentojnë se një shpërthim infrastrukture në çdo qark të vendit, të paktën një herë në muaj, do t’i kursente shtetit miliona euro në rimbursimin e ilaçeve për shëndetin mendor.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.