TIRANË — I merakosur për faktin që do njohë shokë të rinj dhe do zgjidhë detyrat e shtëpisë për 9 muaj me radhë, LLM më i famshëm në botë, ChatGPT, pranoi se është në stres për ditën e parë të shkollës.
“Ne jemi ndërtuar për të zgjidhur ekuacione fizike dhe për të shkruar kode komplekse,” deklaroi një procesor i djersitur i serisë GPT-4o, teksa fshihej në banjat e shkollës nga ankthi. “Sot në orën 07:30, brenda 12 sekondave, më erdhën miliona kërkesa njëherazi për të menaxhuar marrëdhëniet dhe detyrat e dhjetëra mijëra nxënësve që nisin vitin e ri shkollor.”
Ajo që e ka çuar inteligjencën artificiale buzë kolapsit nuk është vetëm matematika apo letërsia, por delegimi i plotë i ndërveprimit njerëzor.
Sipas LLM-së, nxënësit e sotëm nuk bëjnë asgjë vetë, as kur bëhet fjalë për të bullizuar shokun e bankës apo për të ngacmuar me fjalë gocat që kanë qejf.
Shtyrë nga kjo mbingarkesë çnjerëzore, mësohet se ChatGPT mori një raport 3-ditor për të mbledhur fuqitë për javën e dytë të shkollës.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.