TRIBUNA B – Futbolli shqiptar u trondit sërish këtë javë, jo për trukime ndeshjesh apo paga të prapambetura. Këtë herë kriza është më ekzistenciale: bomberi i ekipit Zetori të Superligës është kapur në flagrancë duke mos ditur të pështyjë.
Ngjarja ndodhi gjatë minutës së 65-të të ndeshjes, kur lojtari, pas një vrapimi të gjatë për t’i bërë presion mbrojtjes kundërshtare, tentoi të kryente ritualin tradicional të bomberit, të pështynte një goxha gëlbazë dyll të verdhë dhe të shfrynte hundët me sa forca kishte, mirëpo prodhoi një jargë të vobektë e të fëlliqur që iu ngjit pas mjekrës.
Tifozët në tribunë heshtën, ndërsa të tjerë u panë duke u larguar nga stadiumi.
Sipas specialistëve të sportit, pështyma në fushë është thelbësore, sepse shërben për të treguar dominancë territoriale, dhe për të frikësuar mbrojtësit kundërshtarë.
Klubi ka hapur një hetim të brendshëm. Dyshimet e para flasin për një korruptim të trajnerëve në ekipet zinxhir të moshave. Besohet se bomberi është futur në ekip pa kaluar provën fizike dhe gëlbazore, me ndihmën e të atit, person i pushtetshëm në vend.
Sepse në futbollin shqiptar, mungesa e talentit falet. Forma fizike rregullohet. Por të mos dish të pështysh është kulmi.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.