ZAGREB - Një kontroll rutinë në Kroaci shkaktoi një tjetër skandal institucional në Tiranë, pasi inspektorët e doganës kroate konfiskuan një ngarkesë pesticidesh me origjinë nga Shqipëria që, sipas një eksperti, përmbanin “nivele alarmante të reçelit të pjeshkës.”
Zyrtarët në Zagreb shpjeguan se ngarkesa e konfiskuar, e etiketuar si “SuperTox Ultra 3000”, po lëshonte një aromë të dyshimtë frutash. “Në vend të duhmës së zakonshme kimike që të çan hundët, na erdhi një aromë kompostoje pjeshkash,” tha njëri prej inspektorëve. “Me sa duket, reçeli i gjyshes ishte mykur.”
Analiza laboratorike konfirmoi se ngarkesa përbëhej nga rreth 70% reçel pjeshke, i certifikuar organikisht dhe “i pasur me potasium”, ndërsa 30% e pjesës së mbetur, përmbante gjurmë pesticidesh.
Ky është i fundit në listën e gjatë të skandaleve që kanë kapluar Autoritetin Kombëtar të Farmakut. Në një konferencë shtypi, drejtori i institucionit, Laver Rrunaku, premtoi një hetim të plotë të ngjarjes, por burime të brendshme pohojnë se rezultatet mund të duan muaj. “Nuk është e lehtë të kryesh testime pa futur gishtin sa për ta provuar,” pranoi një teknik farmaku që preferoi të mbetej anonim.
Ndërkohë, ngarkesa e sekuestruar qëndron në Kroaci nën forca të rrepta sigurie për të penguar fshatarët e uritur të mësyjnë brenda me garuzhde.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.