TIRANË — Shoqata e Hidrokarbureve ka bërë sot një hap gjigant drejt dixhitalizimit dhe “transparencës” gjeopolitike. Për të shmangur vonesat në rritjen e çmimeve, të gjitha pikat e karburantit në vend kanë instaluar pompa inteligjente me Wi-Fi, të cilat janë të lidhura drejtpërdrejt me sinjalin satelitor të Al Jazeera. Tashmë, çmimi i naftës nuk ka nevojë për disa ditë që të përditësohet.
“Nëse një raketë lëshohet në Lindjen e Mesme ndërkohë që ju po mbushni makinën te “Zogu i Zi”, çmimi për litër rritet në kohë reale,” u shpreh për Lemza News zëdhënësi i shoqatës, Novruz Fulltaku.
Sistemi i ri ka krijuar skena paniku nëpër pikat e karburantit në vend. Dje pasdite, një qytetar raportoi se si u përpoq të sfidonte bursën botërore me një 20-mijë lekësh (të vjetra). “Hapa krahun dhe i thashë djalit të pompës: Hidhi 20 mijë, por shtype pistoletën shpejt se po mban fjalim Presidenti Trump!” tregon shoferi, ende i djersitur. “Sapo ai futi tubin në serbartor, spikeri në radio përmendi “drone ushtarake” dhe tabela e karburantit filloi të rrotullohej si makinat e lojërave të fatit në Las Vegas. Çmimi kërceu nga 185 në 240 lekë për litër.”
Për të ndihmuar qytetarët të kursejnë, ekspertët e ekonomisë kanë publikuar një udhëzues të ri mbijetese. Ata këshillojnë shoferët që të furnizohen me karburant vetëm në orën 3:00 të mëngjesit, atëherë kur udhëheqësit botërorë janë në gjumë dhe gjasat për ofensiva ushtarake bien me 15%.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.