TIRANË — Ndërkohë që anija kozmike Orion ndodhet në rrugën e kthimit drejt Tokës pas rrotullimit historik rreth Hënës, rrjetet sociale shqipfolëse gëlojnë nga konspiracionet. Sipas komentuesve me katër klasë shkollë, pretendimi se katër persona ende nuk e kanë tharë një vazo të tërë Nutella është tregues i falsitetit të misionit.
“O vlla, unë ha një kavanoz 750 gr me lugë gjelle brenda dy ditësh,” shkruan në Instagram një qytetar anonim. “Kurse ata janë katër veta dhe kanë 1 javë që mezi po mbarojnë një kavanoz. Këto janë përralla me mbret që nuk i ha kush. Misioni është i fabrikuar në studio hollivudiane.”
Të tjerë shkojnë edhe më tej në akuzat e tyre, duke aluduar se e gjitha është një reklamë e mirëmenduar e kompanisë së çokokremit. “Është reklama më gjeniale që një kompani ka prodhuar ndonjëherë, dhe gjithë bota e hëngri karremin,” shkruan një komentues në Facebook. “NASA po kryen krime kundër njerëzimit dhe duhet shkrirë komplet.”
Ndërkohë, Ministria e Arsimit distancohet nga moria e komenteve injorante që kanë pushtuar rrjetet sociale, duke sqaruar se nuk rezulton të ketë lidhje midis nivelit të arsimit në vend dhe skepticizmit kundrejt Nutellës pluskuese.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.