FIER — Ajo që fillimisht u raportua nga Policia e Shtetit dhe media si një ngjarje e rëndomë kriminale, ku një hajdut humbi jetën pasi ngeli i bllokuar në xhamin e derës, sapo ka marrë një kthesë të papritur. Llogaria zyrtare në Instagram e artistit enigmatik të rrugës, Banksy, ka postuar mëngjesin e sotëm një foto të skenës në Fier, duke marrë kështu autorësinë e plotë të ngjarjes.
Sipas kritikëve ndërkombëtarë të artit, nuk kemi të bëjmë me një vjedhje të dështuar, por me instalacionin më të ri dhe më radikal të artistit britanik, kushtuar tranzicionit shqiptar.
“Është një kryevepër e brutalizmit social,” shpjegon kritiku parisien/skizofren i artit bashkëkohor, Julien du Poche. “Trupi i pajetë, i bllokuar mes xhamave, simbolizon qytetarin e thjeshtë shqiptar të ngecur në tranzicion. Hajduti pa emër përfaqëson proletariatin e padukshëm. Dorezat dhe kapuçi janë uniforma e njeriut të harruar nga shteti. Duke mos pasur emër, ai bëhet çdokush.”
Me konfirmimin se kjo është një vepër origjinale e Banksyt, vlera e tregut të shtëpisë në Fier ka shkuar nga 45,000 euro në rreth 6.5 milionë brenda pak orësh. Shtëpitë e ankandeve nga Londra dhe Nju Jorku kanë dërguar tashmë helikopterë për të blerë dritaren me gjithë xhamin e thyer.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.