/ Op-ed

Protesto se të vrava, mos protesto se të vrava!

|Nga: Redaksia Lemza
Protesto se të vrava, mos protesto se të vrava!

Në ADN-në e folklorit tonë ekziston një shprehje që shpjegon më mirë se çdo analizë psikologjike, jo vetëm mentalitetin shqiptar, por atë njerëzor: “Hyp se të vrava, zdryp se të vrava.” Si do që të flasësh apo të veprosh, nuk shpëton nga kritika, sepse gjykatësi e ka dhënë vendimin para se ti të lëvizësh dhe muskulin më të vogël.

Sot, në mes të dallgëve të revoltës më të madhe popullore në 35 vitet e fundit, idioma ka marrë një formë të re në studiot televizive dhe rrjetet sociale: “Protesto se të vrava, mos protesto se të vrava!”

Të gjendur në këtë qark të shkurtër llogjik, qytetarët shqiptarë po përballen me një kastë “analistësh”, snobësh urbanë dhe gardianësh të status-quo-së, që kanë vendosur monopolin mbi mënyrën se si duhet të revoltohet populli.

Faza 1: “Protesto se të vrava”

Kur bulevardi është i zbrazët dhe njerëzit, të dërrmuar nga hallet e përditshmërisë, zgjedhin të rrinë në shtëpi, elita intelektuale turfullon tërë indinjatë e pikla pështyme. Të dergjur nëpër poltrona panelesh televizive, ata lëshojnë mallkime biblike mbi kombin e padenjë: “Popull delesh!” “E meritojnë këtë qeveri, kështu që, mirë bëjnë që vjedhin!” “Në Francë për dy qindarka shtrenjtim nafte i vënë flakën Parisit, kurse shqiptari rri në kafe!” “Ky vend nuk bëhet më!”

Në këtë fazë, qytetari është fajtori suprem. Varfëria, prapambetja, emigrimi nuk janë pasojë e korrupsionit dhe babëzisë qeveritare, por pasojë e apatisë së qytetarit. Të kënaqur në dëshpërimin e tyre superior mbi këtë popull mjeranësh, analistët e pinë ekspresin me rrufitje rrëqethëse dhe e bëjnë gjumin rehat.

Faza 2: “Mos protesto se të vrava”

Por pastaj, ndodh e paimagjinueshmja. Kupa mbushet. Populli që deri dje u quajt “dele”, befas vërshon me mijëra në bulevard, marshon me kilometra duke ngritur zërin kundër një sistemit të krimbur kokë e këmbë. Ata bëjnë fiks atë që “elita” u kërkoi të bënin.

A gëzohen vallë këta kritikë vesves? As që bëhet fjalë. Ata kalojnë në fazën e dytë të vrasjes morale:

“Po mirë mo, kështu protestohet?!”, “Fjalime patetike!”, “Kush është organizatori?”, “Cilat janë kërkesat?”, “Pse, me meme ChatGPT-je rrëzohet regjimi?”

Kritiku që deri dje kërkonte flakët e Parisit, sot ankohet për automatizimin e memes. Protesta idealizohet derisa ndodh; kur ndodh, ajo është gjithmonë “shumë patetike”, “shumë fëminore”, dhe “shumë e parfumosur”.

Çfarë duan në të vërtetë “Kritikët”?

E vërteta është se kjo kastë nuk do as heshtjen, as protestën. Ata duan thjesht rehatinë e cinizmit të tyre.

Një popull apatik i bën ata të ndihen intelektualisht superiorë. Një popull i revoltuar i tremb, sepse prish rendin e gjërave ku ata kanë ngritur karrierat e tyre me djersë pjesësh të tulta trupore. Ata nuk e duan ndryshimin; ata duan vetëm të ankohen për mungesën e ndryshimit. Janë pjesë e sistemit dhe rrezikojnë të bien bashkë me të.

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.

Sipas studimeve, donacionet rrisin inteligjencën.

Na Mbështet në Patreon