Çdo mëngjes, ndërsa pi Latten me qumësht tërshëre në zyrën time në katin e 24-t, lexoj komentet në Instagramin tim. Çdo ditë e njëjta gjë: “Përsëri ky i çmenduri me xhip të zi që terrorizoi Bllokun mbrëmë!”, “T’i hiqet patenta këtij idiotit!”, “Nuk na lë të flemë nga zhurma e marmitës!”
S’e keni idenë sa më lëndojnë këto fjalë, sidomos në atë pjesë të shpirtit që s’kanë arritur ta mbushin as xhamat e zinj të makinës. Ju më quani “injorant me lekë” apo “i forti i lagjes”. E keni gabim. Ju nuk e kuptoni dramën e një njeriu që ka llogari me 7 zero në bankë, por është zero me bisht në jetë. Ju lutem, para se të bëni peticione për të më bllokuar makinën, më lejoni t’ju shpjegoj se pse ajo marmitë që ulërin si kuçedër është e vetmja gjë që më ka mbetur në jetë.
Unë jam 34 vjeç. Drejtoj një kompani me 200 punonjës. Kam një vilë në “Rolling Hills” dhe një diplomë masteri në Londër që më ka kushtuar sa qimet e kokës. Ekonomikisht, jam një bos. Por psikologjikisht, jam një miush. Në kompani, askush nuk e ka frikë autoritetin tim, kanë frikë departamentin e Burimeve Njerëzore. E dashura ime modele, të cilës i paguaj pushimet në Maldive, ma vë veshin vetëm për muhabete leku. Gjatësia ime trupore është 1.61m, dhe as atletet Balenciaga me gomë 5 centimetra nuk e fshehin dot këtë fakt.
Por pastaj zbres në garazh, hap derën e AMG-së sime të zezë mat, fut çelësin, dhe i shkel pedalin e gazit me marshin ne neutro.
VROOOOOM-BA-BA-BA-BAM!
Në atë fraksion sekondi, gjithçka ndryshon. Bëhem një forcë e natyrës! Dridhjet e motorit V8 e mbushin zbrazëtinë e karakterit tim deri në gramin e fundit.
Prandaj, herën tjetër që po vini fëmijën në gjumë, dhe befas dëgjoni një shpërthim oktanik që ju bën të mendoni se filloi lufta, mos më shani. Merrni frymë thellë dhe thoni me vete: “Ja ku kaloi Klodi. Ka aksione në tre banka, kompani me 200 punonjës, por prapë i duhet një tub hekuri gjigant poshtë makinës për t’u ndier i rëndësishëm.” Dhe të lutem, po pate mundësi, kur të më shohësh te semafori, hidhmi sytë dhe bëj sikur ke pak frikë nga unë. Ose të paktën bëj sikur ke zili. Faleminderit.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.