HJUSTON - NASA ka bërë publik ditën e sotme zbulimin më të rëndësishëm në historinë e popullit shqiptar. Bëhet fjalë për një ekzoplanet që ofron kushtet e përsosura për të nisur spektakle piroteknike në 12 të natës. Trupi qiellor, i pagëzuar zyrtarisht me emrin Kepler-Astir-9b, ndodhet rreth 400 vite dritë larg Tokës.
“Kur analizuam të dhënat nga teleskopi James Webb, nuk gjetëm as shenja jete dhe as ujë të pijshëm,” shpjegoi Prof. Dr. He , krye-astrofizikani i projektit. “Por ama gjetëm habitatin e përkryer që komshiu të festojë ditëlindjen e vajzës me breshëri fishekzarresh, pa pasur frikë nga policia e rendit.”
Sipas raportit, Kepler-Astir-9b posedon atë që shkencëtarët e quajnë “Akustika e Zotave”. Mungesa e maleve dhe prania e një gazi të veçantë në atmosferë bën që jehona e një kapsolle të thjeshtë të shumëfishohet, duke u dëgjuar në të paktën tre sisteme të tjera diellore fqinje.
Për më tepër, graviteti i ulët i planetit është një mrekulli e natyrës për industrinë e piroteknikës. Shkëndijat e kuqe dhe të gjelbra nuk bien menjëherë në tokë si në Tiranë, por qëndrojnë të varura në atmosferë deri në tre ditë.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.