/ Shkencë

NASA shpall misionin e parë me ekuipazh njerëzor në tëmthat e Taulant Ballës

|Nga: Redaksia Lemza
NASA shpall misionin e parë me ekuipazh njerëzor në tëmthat e Taulant Ballës

HJUSTON — NASA njoftoi sot nisjen e një misioni historik për të dërguar një ekuipazh njerëzor në një nga formacionet gjeologjike më të rrezikshme të njohura nga shkenca: tëmthat kraniale të politikanit shqiptar, Taulant Balla.

Gjatë një konference për shtyp, astrofizikanët pranuan se zbritja e një ekuipazhi njerëzor mbi terrenin e vrazhdë të kokës së politikanit shqiptar është një sfidë që po trondit vetë themelet e fizikës moderne. Sipas skanimeve me lazer nga hapësira, topografia kraniale e Ballës nuk bindet asnjë ligji të natyrës që ne njohim në Tokë. Ekspertët e gravitetit shpjeguan se kjo sipërfaqje vuan nga ajo që tashmë po klasifikohet si “Anomalia e Librazhdit”.

“Është një paradoks gjeometrik që e kemi hasur vetëm te vrimat e zeza,” shpjegoi i djersitur inxhinieri kryesor i dizajnit të anijeve hapësinore, Yan Martel. “Kemi të bëjmë me Gjeometri Jo-Euklidiane. Nëse astronauti ynë bën një hap të gabuar jashtë modulit të zbritjes pranë atyre cepave, realiteti do të paloset dhe ekuipazhi do të bjerë në një dimension paralel ku ligjet e universit janë përmbys.”

Misioni i koduar Artemis-TB1 ka për detyrë gjithashtu eksplorimin e anës së errët të tëmthit, një zonë e papenetrueshme pranë veshit ku satelitët kanë diktuar anomali të forta magnetike. Zona është jashtëzakonisht e vështirë për t’u eksploruar për shkak të stuhive të erës që krijohen kur subjekti mohon akuzat në parlament.

Astronautët kanë urdhër të mbledhin mostra dhe të nisen brenda 15 minutash. NASA ka paralajmëruar se nëse ekuipazhi qëndron më gjatë, pllakat tektonike të fytyrës së tij mund të ndryshojnë formë papritur për t’iu përshtatur një situatë të re politike, duke e gëlltitur anijen hapësinore përgjithmonë në poret e ngopura me korrupsion.

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.

Sipas studimeve, donacionet rrisin inteligjencën.

Na Mbështet në Patreon