TIRANË — Paniku që përfshiu vendin pas konfirmimit të rastit të parë me Ethet e Nilit Perëndimor te një 72-vjeçar në Korçë, ka zgjatur vetëm disa orë. OBSH ishte bërë gati për një epidemi të re, por kishte harruar një detaj thelbësor. Virusi i huaj më parë duhej të kalonte nga kryeqyteti dhe të përballej me ekosistemin e Lumit Lana.
Sipas ekspertëve të shëndetit, mushkonja bartëse e Etheve të Nilit, një insekt delikat, i mësuar me ujërat e ngrohta dhe zogjtë ekzotikë të Afrikës, bëri gabimin fatal të fluturonte mbi hapësirën ajrore të Pallatit me Shigjeta.
Aty, ajo u kap në befasi nga mushkonjat autoktone të Lanës. Këto të fundit, të rritura mes ujërave të zeza të pandërprera, kanë një sistem imunitar që i reziston edhe rrezatimit bërthamor.
“Ethet e Nilit janë një patogjen luksi, një virus turistik,” shpjegon Dr. Skënder Gjeldeti, ekspert pranë ISHP. “Kur mushkonja e Nilit tentoi të pinte gjak në zonën e Ali Demit, ajo u paralizua nga Ethet e Lanës, të pranishme në gjakun e çdo banori në kryeqytet. Për një virus të huaj, ky është helm i pastër.”
Ndërkohë që Ethet e Nilit shkaktojnë temperaturë dhe dhimbje koke, Ethet e Lanës shkaktojnë një mpirje totale ekzistenciale, humbje të nuhatjes dhe një dëshirë të çuditshme për të hapur një lavazh makinash.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.