/ Shëndeti

Raporti i ISHP: Personat që flasin gjysmë shqip gjysmë anglisht arsyeja pse qajnë bebet

|Nga: Redaksia Lemza
Raporti i ISHP: Personat që flasin gjysmë shqip gjysmë anglisht arsyeja pse qajnë bebet

TIRANË — Për breza të tërë, nënat dhe gjyshet shqiptare kanë fajësuar daljen e dhëmbëve, syrin e keq, apo gazrat e stomakut për të qarat e pandërprera të foshnjave.

Por sot, Instituti i Shëndetit Publik ka përmbysur gjithë literaturën mjekësore botërore, duke publikuar një studim tronditës. Sipas tij, bebet qajnë sepse nuk durojnë dot miqtë e prindërve që masakrojnë frazeologjizmat e shqipes me një xherund të rastit.

“Foshnjat janë qenie të ndjeshme ndaj pakuptimësisë,” deklaroi Dr. Pëllumb Kepi, pediatër specialist pranë ISHP. “Kur një teze apo një mikeshë e mamasë afrohet te karroca dhe thotë: ‘Oh my God, literally ky baby ka një super cute vibe’, fëmija pëson një mikrotraumë. Bebja nuk qan prej dhimbjes së barkut, por për të ardhmen e kombit.”

Hulumtuesit theksojnë se grafiku i të qarave të foshnjave në Tiranë ka një përqendrim të frikshëm në zonat e Bllokut dhe Komunës së Parisit, të cilat tani janë shpallur “Zona të Kuqe Epidemiologjike”.

Në një nga eksperimentet e kryera në laborator, një foshnjë tre muajshe që po flinte e qetë, u zgjua duke ulëritur sapo në dhomë hyri një menaxher marketingu që fliste në telefon: “Ta bëjmë schedule një meeting asap që të jemi aligned”. Infermierëve iu deshën t’i lexonin gjithë veprën e Naim Frashërit për ta qetësuar fëmijën.

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.

Sipas studimeve, donacionet rrisin inteligjencën.

Na Mbështet në Patreon