/ Shëndeti

Buzët e bëra shkaktojnë dhimbje qafe

|Nga: Redaksia Lemza
Buzët e bëra shkaktojnë dhimbje qafe

TIRANË — Spitali i Traumës dhe klinikat e fizioterapisë në kryeqytet përballen për të disatin vit radhazi me një fluks të femrave nga të gjitha moshat, të cilat paraqiten me dhimbje në zonën e qafës, shpatullave dhe deformim të shtyllës kurrizore.

“Fizika është e pamëshirshme,” shpjegoi Dr. Ilir Qefulli, mjek ortoped. “Koka e njeriut peshon mesatarisht 5 kilogramë dhe shtylla kurrizore është projektuar ta mbajë këtë peshë në ekuilibër. Por kur në zonën e nofullës shton papritur peshë që varion nga 800 gramë deri në 1.5 kilogramë, qendra e gravitetit zhvendoset përpara. Kemi të bëjmë me një diagnozë të re që në literaturën tonë po e quajmë ‘Skolioza e Bllokut’.”

Keisi Bulla, 22 vjeçe, e cila sapo ka përfunduar seancën e saj të tetë të mbushjes me teknikën “Russian Volume Xtreme”, tregon se jeta e saj është kthyer në një betejë të përditshme kundër gravitetit.

“Filloi si një mpirje e lehtë në shpatulla,” rrëfen Keisi teksa mban kokën me të dyja duart. “Pastaj fillova ta gjeja veten gjithmonë e më të përkulur. Tani nuk dal dot nga shtëpia pa vënë jakë ortopedike.”

Fillimisht, mjekët dyshuan se shkaku ishte përdorimi i tepruar i celularëve. Por analizat konfirmojnë se fajtori i kryesor është pesha e acidit hialuronik dhe injeksioneve të silikonit në buzë, të cilat tërheqin kokën drejt tokës si spirancë anijeje.

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.

Sipas studimeve, donacionet rrisin inteligjencën.

Na Mbështet në Patreon