NEW YORK — Organizata e Kombeve të Bashkuara votoi fundjavën e shkuar për të zëvendësuar hartën tradicionale të botës Mercator me hartën e re që tregon përmasat e vërteta të pyllit orbital të Tiranës.
Në hartën e re, brezi i verdhë i Amazonës dhe Pyjet e Siberisë janë zbehur nga unaza prej smeraldi që mbulon gjithë Shqipërinë e Mesme, dhe më gjërë.
“Kur përpunuam të dhënat zyrtare të dërguara nga Bashkia e Tiranë, për pak sa s’na ndali zemra,” deklaroi Michael Finn, zyrtar pranë OKB-së. “Ne mendonim se Muri Kinez ishte i vetmi objekt që mund të dallohej me sy të lirë nga Stacioni Orbital Ndërkombëtar. Por sot e tutje, astronautëve do ua “bëjë me dorë” dhe një tjetër mrekulli e njerëzimit.”
Ndërkohë që komuniteti ndërkombëtarë flet për “mrekullinë e re ekologjike të Ballkanit”, qytetarët e Tiranës vijojnë të përballen me vështirësi logjistike për të gjetur qoftë edhe një hije të vetme gjatë ditëve të nxehta.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.