KUKËS - Kleopatra është lavdëruar gjerësisht nga historianët për bukurinë, zgjuarsinë dhe aftësinë për të joshur perandorët romakë. Mirëpo, shumë pak njihet fakti se ajo ka pasur edhe një rol të fshehtë, por shkatërrimtar, në krizën e patates së Kukësit sot.
Sipas një hulumtimi të ri që qarkullon në korridoret qeveritare, politikat bujqësore të Kleopatrës në deltën e Nilit 2000 vjet më parë i hapën rrugën dominimit të sotëm të Egjiptit në tregun shqiptar të patates. Pasojat po ndihen në Kukës, ku patatet vendase po kalben në magazina, ndërsa importet egjiptiane pushtojnë tregun.
Eksperti i Egjiptit të Lashtë, Martin Prozodina, pretendon se Kleopatra ka përdorur qëllimisht hiret e saj joshës për të ngritur një perandori patatesh. “Ndërsa Çezari ishte i zënë me strategji ushtarake,” shpjegon Prozodina, “ajo hartonte plane subvencionesh për perimet me zhardhokë.” Plane që, sipas tij, janë lehtësisht të lexueshme në hieroglifët e zbuluar së fundmi.
Zënë ngushtë nga fiaskoja më e fundit, Ministria e Bujqësisë këmbëngul se është e pafuqishme kundër 2000 viteve eksperiencë. “Si mund të përballesh me intelektin e një gruaje që gjunjëzoi Perandorinë e Shenjtë të Romës?” u shpreh burimi pranë Ministrisë.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.