/ Shkencë

Universi ndalon së zgjeruari nga frika se e mbushin me kulla

|Nga: Redaksia Lemza
Universi ndalon së zgjeruari nga frika se e mbushin me kulla

HOUSTON / TIRANË — Një ligj thelbësor i fizikës që ka qeverisur kozmosin prej 13.8 miliardë vitesh sapo është thyer. Teleskopi Hapësinor “James Webb” ka dërguar të dhëna tronditëse në Tokë, duke konfirmuar se Universi ka ndaluar papritur zgjerimin e tij. Shkaku nuk është as energjia e errët dhe as kolapsi gravitacional, siç druhej më parë, por një instinkt i pastër vetëmbrojtjeje: hapësira kozmike është tmerruar nga ideja se çdo metër katror bosh mund të shfrytëzohet për ndërtim kullash, me leje të qeverisë shqiptare.

Sipas astrofizikanëve, Universi ka vëzhguar me kujdes territorin e Shqipërisë gjatë dekadës së fundit dhe ka dalë në përfundimin logjik se, nëse vazhdon të krijojë hapësirë të re, KKT ka plan të lëshojë leje ndërtimi deri në galaktikën e Andromedës.

Në një konferencë të përbashkët urgjente mes NASA-s dhe Agjencisë Hapësinore Europiane, shkencëtarët shpjeguan mekanizmin e kësaj anomalie kozmike. Zgjerimi u ndal fiks në momentin kur një patronazhist me diplomë nga Tirana u pikas duke bërë matje topografike pranë Rrugës së Qumështit.

“Universi ynë ka vetëdije,” deklaroi Dr. Yan Grandi, dukshëm i shqetësuar. “Në një farë mënyre e kuptoi se për ndërtuesit shqiptarë, hapësira e pafundme nuk është një mister i bukur shkencor që të ngop me magjepsje, por një mundësi e artë për pastrim parash.”

Duke parë se në Shqipëri leja për një kullë të re del më shpejt se sa i duhet dritës të arrijë nga Dielli në Tokë, Kozmosi vendosi të ngrijë. Më mirë i vogël dhe i errët, sesa i mbushur me kantiere të përbindshëm ku pastrojnë paratë çunat e Londrës.

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.

Sipas studimeve, donacionet rrisin inteligjencën.

Na Mbështet në Patreon