TIRANË — Një studim i fundit nga Nature Human Behavior ka zbuluar se origjina e shqiptarëve daton shumë më herët nga sa mendohej dhe lidhet drejtpërdrejt me popullsitë e lashta të parkimit dysh me bllokazh ndezur.
Sipas analizave të thelluara të ADN-së dhe zhbllokimit të gjenomeve të lashta, shqiptarët kanë një lidhje biologjike, të pashkëputshme dhe të trashëguar brez pas brezi me këtë territor.
Rezultatet e botuara disa ditë më parë, tregojnë se, ndryshe nga popujt e tjerë evropianë që pësuan mutacione gjatë migrimeve masive dhe filluan të përdorin parkimet nëntokësore me pagesë, shqiptarët ruajtën të paprekur bindjen se rruga e makinave është thjesht një parkim pak më i gjerë.
Shkencëtarët kanë izoluar një sekuencë specifike në kromozomin 14, të cilin e kanë pagëzuar si gjeni “5-MIN-VËLLA”. Ky gjen aktivizohet në mënyrë të pavullnetshme sapo një qytetar shqiptar i afrohet një furre buke, një tabakinoje, ose një lokali ku e presin shokët.
“Ne fillimisht mendonim se parkimi dysh në orën 08:30 të mëngjesit ishte një mungesë edukate qytetare ose karshillëk prej mendjemadhi,” shpjegon Dr. Arben Kimehmeti, kreu i Departamentit të Antropologjisë. “Mirëpo, zbulimet na thonë se është një refleks gjenetik. Ashtu si dallëndyshja që e ka në gjak të shtegtojë në pranverë, shqiptari e ndjen instinktivisht dhe fizikisht nevojën ta parkojë makinën në mes të bulevardit. Bllokazhi ndezur është mekanizmi i tij evolucionar i mbrojtjes nga grabitqarët natyrorë, siç është Policia Bashkiake.”
Lajmi ka sjellë lehtësim për qindra shoferë në Tiranë. Gëzimi (42 vjeç), i cili sapo kishte parkuar G-Class-in e tij diagonalisht mbi vijat e bardha në zonën e Bllokut, u shpreh i prekur nga ky zbulim shkencor.
“Gjithë jetën më kanë sharë dhe më kanë gjobitur,” thotë ai duke rrufitur makiaton teksa ruan me sy makinën. “Tani e di që nuk e bëj me kast. Unë thjesht po respektoj të parët e mi! Unë jam autokton! Kur lë bllokazhin ndezur, unë po mbaj gjallë identitetin kombëtar të trashëguar. Të më vësh gjobë për këtë, është praktikisht diskriminim gjenetik, pra racizëm.”
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.