JUKATAN — Pas dekadash të tëra debati për sa i përket metodave të komunikimit midis dinozaurëve, një ekip ndërkombëtar studiuesish nga Universiteti i Oksfordit ka arritur të rindërtojë me saktësi tingullin e fundit që lëshoi një T-Rex në çastin kur meteori goditi Tokën.
Studimi, i cili pritet të botohet këtë javë në revistën prestigjioze Nature, përmbys çdo teori mbi evolucionin e gjuhëve. Duke analizuar strukturën e kockave të fytit të fosilizuar, shkencëtarët kaluan frekuencat në një program kompjuterik.
“Ndryshe nga sa na ka mësuar Hollywoodi, dinozaurët nuk hungërinin me të madhe,” deklaroi Dr. Arthur Pendelton, kreu i grupit studimor. “Modelet më të avancuara të inteligjencës artificiale konfirmuan se, kur T-Rex pa meteorin, ai u kthye nga qielli dhe turfulloi me një dialekt proto-pellazg: “Oj nona ime, na myti!”
Ky zbulim është pritur me entuziazëm nga gjuhëtarët shqiptarë dhe anëtarët e Akademisë së Shkencave.
Studiuesi i albanologjisë, Prof. Agron Rrënja, shprehet se kjo është prova përfundimtare dhe e pakontestueshme se shqipja është gjuha më e vjetër në botë.
“Studiuesit e Oksfordit vetëm sa provuan atë që ne dinim me kohë,” u shpreh ai. “Madje, shqipja nuk ndalet te dinozaurët. Ajo shkon deri në gjenezën e vetë universit. Shumë vrasin mendjen çfarë e shkaktoi Big-Bangun. Ta them unë. Ishte shqiptimi i fjalës “Qyqja!”
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.