TIRANË — Për 28-vjeçarin Elio Flama, specialist marketingu në një kompani të njohur në kryeqytet, jeta deri më sot ka qenë një ferr i papërballueshëm. Si shumë moshatarë të tij, ai vuante nga ankthi social dhe stresi i vazhdueshëm i përshtatjes me normat e shoqërisë. Por, pas gjashtë muajsh trajtimi të suksesshëm me anti-depresantë, Elio ka zbuluar një efekt anësor mrekullibërës, që e ka çliruar plotësisht nga kompleksi i të pjerdhurit në publik.
Sipas tij, periudha para mjekimit ishte një makth i vërtetë, i mbushur me mbajtje fryme dhe djersë të ftohta ankthioze.
“Më parë, nuk isha rehat në asnjë lloj situate sociale,” rrëfen ai për Lemza News. “Por që kur fillova kurën me Faverin, nivelet e mia të serotoninës janë perfekte. Dje isha në radhë te banka, dhe ndjeva një presion të lehtë në fund të zorrës së trashë. Nuk u mendova as një sekondë më tepër. Njerëzit u kthyen të tmerruar. Para një viti do kisha vdekur nga turpi. Ndërsa dje vazhdova të plotësoja formularin e depozitës, i çliruar. Është thjesht ajër, o plak.”
Transformimi i Elios nga një djalë i ndrojtur në një artilieri vdekjeprurëse nuk ka kaluar pa u vënë re nga kolegët e tij të zyrës. Disa prej tyre e kanë zili vetëbesimin e tij të qelbur, por pjesa më e madhe po lobojnë te Burimet Njerëzore për ta kaluar përgjithmonë me punë nga shtëpia.
Neurologu Ermal Dremka shpjegon se rasti i Elios, ndonëse ekstrem, është një fenomen i njohur klinik ku rënia drastike e ankthit social çon në një shpërfillje totale ndaj normave bazike të mirësjelljes qytetare.
“Qëllimi i anti-depresantëve është të bëjnë trurin imun ndaj paragjykimeve të botës,” shpjegon ai. “Në rastin e pacientit në fjalë, ilaçi duket se ka shkuar një hap më tej, duke fshirë tërësisht konceptin e edukatës qytetare. Për të, të pjerdhurit në publik është njëlloj si të marrësh frymë. Ai është klinikisht i shëruar, edhe pse mbetet rrezik i madh për hapësriat e mbyllura.”
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.