BRUKSEL — Të mësuar me rregulla strikte dhe burokraci të parashikueshme, korporatat evropiane po përballen me një realitet të hidhur: ato nuk kanë “muskujt” e duhur për të mbijetuar në tregun e egër shqiptar. Sipas një analize paraprake bazuar në vetëdeklarimet e bizneseve evropiane, vetëm 10% e tyre konsiderohen aktualisht të përgatitura për t’u bërë pjesë e tregut shqiptar.
Ekspertët theksojnë se sektorët evropianë të përpunimit ushqimor dhe të ndërtimit do të përballen me sfidat më të mëdha në rast të një anëtarësimi tonë në BE. Problemi thelbësor qëndron te fakti se BE-ja e ka fokusin vetëm te njeriu dhe siguria ushqimore. Ky është një disavantazh i jashtëzakonshëm në vendin tonë.
E njëjta situatë paraqitet në nënsektorin e përpunimit industrial joushqimor. Kompanitë gjermane dhe franceze të ndërtimit u ka hyrë frika në palcë nga standardet vendase. Materialet dhe proceset e tyre të ndërtimit bazohen strikt mbi eurokodet.
Kjo mungesë fleksibiliteti i bën ata të papërshtatshëm. Një kompani e BE-së nuk e ka teknologjinë dhe as vizionin inovativ për të llogaritur ngritjen e 12 kateve pa leje mbi një themel të dizajnuar për një vilë 2-katëshe. Për më tepër, ata nuk e kanë as në manualin e burimeve njerëzore se si të organizojnë punën që betoni të hidhet ekskluzivisht natën, për të shmangur inspektorët e bashkisë.
Nëse korporatat e BE-së nuk nisin urgjentisht transformimin e brendshëm për të arritur këtë nivel konkurrueshmërie, ato nuk kanë asnjë shans mbijetese.
Për t’i ndihmuar, institucionet po i bëjnë thirrje qeverive të BE-së që të zhvillojnë programe të posaçme trajnimi. Evropianët kanë kohë deri në vitin 2030 për të realizuar këtë transformim, duke u riorientuar nga modeli i tyre i mërzitshëm e i ligjshëm, drejt modelit ku lejet, licencat dhe autorizimet zgjidhen te qebaptorja përballë ministrisë.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.