SVALBARD — Një ekip ndërkombëtar klimatologësh që po studionin pasojat shkatërruese të ngrohjes globale në Rrethin e Arktikut, kanë mbetur të shtangur mëngjesin e sotëm. Pas shembjes së një mase gjigante akullnajore 10,000-vjeçare, shkencëtarët gjetën një vilë luksoze tre-katëshe, veshur me mermer të bardhë dhe pajisur me pishinë infinity me ngrohje qendrore.
Sipas verifikimeve të para në Kadastrën e Polit të Veriut, vila është në pronësi të ish Ministres shqiptare të Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Dr. Bjorn Hansen, udhëheqësi i ekspeditës norvegjeze, e përshkroi momentin e zbulimit si surreal.
“Ne po matnim trashësinë e akullit kur pamë një oxhak guri që nxirrte tym. U afruam me kujdes duke menduar se ishte ndonjë bazë sekrete ushtarake, por pamë një tabelë që lexonte “Polar Balluku Villa.” Hyrja kishte parket lisi dhe izolim termik që mendohet se është bërë me asfaltin që i mungon rrugës Thumanë-Kashar,” deklaroi Dr. Hansen për Lemza News.
Ekspertët vlerësojnë se vila duhet të jetë ndërtuar në vitin 2023, por ishte mbuluar qëllimisht me akull për t’i shpëtuar dronëve të SPAK-ut.
Burime nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) bëjnë me dije se janë në dijeni të zbulimit, por e kanë të pamundur të shkojnë për të vendosur shiritin e sekuestros.
“Kemi shpallur tre herë tenderin për blerjen e slitave me qen dhe veshjeve kundër ngricës, por në mënyrë të pashpjegueshme tenderi është anuluar nga Ministria e Infrastrukturës,” u shpreh zëdhënësi i SPAK, Jeton Sedra.
Ndërkohë, aktivistët e mjedisit po bëjnë thirrje urgjente për ndalimin e shkrirjes së akujve në Antarktidë, pasi kanë frikë se në çdo kilometër katror që shkrin nga oqeani, do të shfaqen vila të tjera luksoze në emër të ish Ministres, të blera me paratë e Tunelit të Llogorasë.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.