NAIROBI — Një studim i fundit i publikuar në revistën Scientific Reports hedh dritë mbi sjelljen prej njeriu të elefantëve afrikanë.
Shkencëtarët që po vëzhgonin elefantët e egër në rajonin e Mount Elgon në Kenia, zbuluan se këto kafshë inteligjente jo vetëm që përdorin 35 lloje bimësh mjekësore për t’u kuruar, por kanë nisur të rezervojnë vendet e lira të parkimit nën hijet e pemëve me bidonë plastikë uji.
Sapo një elefant gjen një hije të freskët dhe të bollshme poshtë një peme Akacie, me ndihmën e feçkës, ai vendos një bidon uji 5-litërsh të mbushur përgjysmë me rërë, duke i dhënë mesazhin pjesës tjetër të pyllit se “ky vend është i zënë”.
“Ky është mentalitet prej çuni lagjeje,” tha Dr. Elodie Freymann për Lemza News. “Kemi parë elefantë që përdorin jo vetëm bidonë uji, por edhe goma të vjetra, arka plastike, apo karrige druri të thyera. Ata e lënë objektin aty paradite, dhe ikin kullosin. Kur kthehen e gjejnë vendin të rezervuar si me magji.”
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.