/ Udhëtime

Turisti bën sikur s’është sharë ndonjëherë me fis nga një kamerier

|Nga: Redaksia Lemza
Turisti bën sikur s’është sharë ndonjëherë me fis nga një kamerier

DHËRMI — Hans Müller, një 34-vjeçar austriak, i mësuar me luks dhe qytetari të tepruar, tregoi nivel të turpshëm dobësie  karakteri mesditën e djeshme në një restorant në Dhërmi, kur filloi të ankohej si fëmijë, thjesht sepse kamarieri i restorantit nuk i la pjesëtar të fisit pa i sharë.

Në vend që ta pranonte ofendimin si burrat, të ulte kokën dhe të hante levrekun ashtu siç i erdhi nga kuzhina, siç e do tradita e artë e bregdetit tonë, turisti i ndjeshëm pretendoi se “u lëndua” nga fjalori i rëndë.

Sipas dëshmitarëve, drama nisi kur Hansi, i painformuar mbi rregullat e pashkruara që kamarieri shqiptar nuk duhet parë kurrë në sy gjatë sezonit veror, ngriti dorën për erëza. Ladi, i cili ishte në orën e tij të 14-të të turnit dhe po djersinte mbi një tepsi me fruta deti, nuk duroi dot më naze turistësh.

Pasi Hansi kërkoi llogari për “sjelljen e papranueshme”, pronari i lokalit doli nga banaku jo për t’i kërkuar falje, por për ta sharë edhe më shumë.

“Nuk dua njerëz kaq negativë në lokalin tim, që ankohen për një fjalë goje,” theksoi pronari. Ai bëri të ditur se nga nesër do të vendosë një tabelë në hyrje ku shkruhet: “Këtu ofrojmë peshk të freskët dhe ofendime nga motra. Nëse nuk ju pëlqen, shkoni hani te diku tjetër.”

Në fund, gjermani kuptoi se i vetmi problem në të gjithë këtë histori, ishte standardi i tij qesharak për t’u trajtuar si qenie njerëzore.

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.

Sipas studimeve, donacionet rrisin inteligjencën.

Na Mbështet në Patreon