DHËRMI — Për të menaxhuar krizat e panikut në çastin e marrjes së faturave të kripura të shërbimeve, bizneset në Rivierën Shqiptare kanë nisur të ofrojnë një litar falas, si zgjidhje për klientët që nuk përballojnë dot çmimet.
Kjo risi po vlerësohet si hapi i fundit i inovacionit në shërbimin ndaj klientit, duke i kursyer turistit lënien peng të çelësave të makinës apo poshtërime të tjera si kjo.
“Ka pasur raste kur klienti shihte faturën dhe tentonte të arratisej me not drejt Korfuzit,” shpjegon Mateo Pata, pronari i një Lounge Bar në Ksamil. “Por gjërat kanë ndryshuar. Bashkë me faturën, kamerieri i çon klientit edhe një litar të trashë kërpi, të lidhur në formë laku. O faturën, o litarin. Pisha është 100 metra larg.”
Kjo iniciativë private është mbështetur fuqimisht edhe nga Ministria e Turizmit, e cila ka gjetur më në fund një mënyrë për t’i bërë ballë mungesës së ujit, dritave dhe logjikës së tregut.
“Ky është turizmi me litar që kemi premtuar,” u shpreh Ministri i Turizmit Blendi Gonxhja. “Nëse nuk duron dot 72 orë pa drita apo ujë të pijshëm, litarin e ke falas, i jep fund vuajtjeve sa hap e mbyll sytë.”
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.