/ Rajoni

Zyrtare: Bajlozi i Detit do hapë konsullatë në Shkodër

|Nga: Redaksia Lemza
Zyrtare: Bajlozi i Detit do hapë konsullatë në Shkodër

SHKODËR — Pas bisedimeve dypalëshe të zhvilluara te Ura e Mesit, figura mitologjike dhe armiku i kombit, Bajlozi i Detit, ka konfirmuar zyrtarisht se do të hapë zyrën e tij të parë konsullore në Shkodër. Qeveria e ka cilësuar praninë e tmerrit kombëtar si “një hap historik për integrimin e krijesave të ujërave të thella në proceset vendimmarrëse evropiane.”

Përveç forcimit të marrëdhënieve rajonale, hapja e zyrës shihet si një arritje e madhe administrative për komunitetin lokal prej 30 bajlozësh që jetojnë prej vitesh në rrethinat e Shkodrës, kryesisht të akomoduar te ujërat e Bunës dhe Drinit. 

Deri më sot, pjesëtarët e kësaj pakice janë përballur me burokraci të tmerrshme për pajisjen me “Certifikata Plaçkitjeje”. Me hapjen e konsullatës së re, komuniteti bajloz nuk do të ketë më nevojë të udhëtojë deri në fund të detit për të deklaruar numrin e dhenve të marra si taksë, pasi të gjitha shërbime do të kryhen brenda 5 minutave te sportelet e dedikuar.

Reagimet nga Shkodra kanë qenë çuditërisht pozitive. Shumë banorë u shprehën se hapja e Konsullatës së Bajlozit është lëvizja më e ndershme diplomatike e viteve të fundit.

“Me thënë të drejtën, jemi mësuar me poshtërime më të mëdha,” tha një shkodran i vjetër te kafja e mëngjesit. “Të paktën Bajlozi i Detit është burrë zotëri, se të thotë që në fillim që ka ardhur për të marrë gjënë e gjallë dhe për të bërë kërdinë. S’të vjen me përralla për ‘integrim evropian’, ndërkohë që të merr territorin pas shpine.”

Ministria e Jashtme njoftoi se nëse marrëveshja me Bajlozin e Detit rezulton e suksesshme, në vjeshtë pritet që edhe Katallani të marrë statusin e Ambasadorit Fuqiplotë me seli te Tajvani.

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.

Sipas studimeve, donacionet rrisin inteligjencën.

Na Mbështet në Patreon